Sali Berisha foli sot edhe për gjendjen në paraburgim të aleatit të tij, Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, duke denoncuar sipas tij, trajtimin çnjerëzor që po i bëhet.
Të njëjtin denoncim bëri edhe për shkeljen e të drejtave në paraburgim për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i paraburgosur prej 10 shkurtit 2025, por duke përdorur dy ‘gjuhë’ dhe dy standarde. Metën e cilësoi 'të burgosur politik', kurse Veliajn 'të burgosur ordiner'.
Ai i kërkoi Avokatit të Popullit që të niste një hetim të menjëhershëm për të dy rastet, pasi ishin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut për një vend anëtar të Këshillit të Europës, teksa akuzoi ‘banditët me uniformë’ të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Ulsi Manja.


















