Kreu i PD, Sali Berisha, në fjalën që po mban para pjesëmarrësve në sheshin “Nënë Tereza” ku hapi zyrtarisht fushatën elektorale, tha se me 11 Maj do të ketë një vështrim të ri për Shqipërinë.
Duke u shprehur i bindur për fitore dhe triumf, Berisha tha se Rama do ta ketë të vështirë natën sonte.
“Në jetën time kam mbajtur shumë fjalime por sonte jam më i emocionuar si asnjëherë kur iu shoh juve, njerëz të lirë, burra edhe gra fisnikë që i keni dhënë sot këtij sheshi energjinë dhe entuziazmin e fitores tonë. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj, është Shqipëria e dashurisë tuaj, e dashurisë për familjes dhe atdhetarisë tuaj, e idealeve të lirisë. Njerëz të lirë imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë. Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Veliajn, Çyrbjen, Beqjan, por prisni prisni edhe McGonigal. E sa shumë e presin e presin. Edi Rama sonte do ta ketë të vështirë natën. Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, e fitores, e Shqipërisë Madhështore, betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri. Këto vite e keqja e vuri para vendin tonë. Këto vite 12 vite ishin për Shqipërinë, vite të shkretimit të saj, të varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narko dhe mafias ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste, arritjet madhore të Shqipërisë në rrugët e lirisë.”, u shpreh Berisha.



















