Berisha nga Puka: Me Ramën nuk shkohet në Evropë, 11 Maji do të jetë një betejë kundër hajdutëve

21 Prill 2025, 15:14 | Përditesimi: 21 Prill 2025, 15:14

Kreu i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim në Pukë, nga ku sulmoi qeverinë Rama duke e akuzuar se ka shpopulluar vendin. Berisha foli për programin e tij elektoral ndërsa tha se gjatë qeverisjes së tij, shqiptarët kishin rrogat më të larta në rajon, por shtoi se me ardhjen në pushtet të Ramës, këto vende na tejkaluan.

“Miqtë e mi, këto 12 vite ishin vitet e një rrokullisje shumë të rëndë, shumë të pamerituar. Në vitin 2013, pukjanët, shqiptarët nuk kishin rroga të larta, por ama i kishin më të larta se 6 kombet e tjera të rajonit. I kishin më të larta edhe se rumunët dhe bullgarët. Në këto 10 vite, ata na tejkaluan ne 3 herë me pensione dhe na tejkaluan rreth dy herë me rroga. Por jo vetëm kaq se kjo është vetëm njëra anë e zezë e medaljes së kësaj qeverisje. Ana tjetër po kaq e zezë e kësaj medalje, se këta burra dhe gra, me këto pensione dhe rroga, më të ulëtat në rajon, duhet të shkoni në dyqane për të blerë mallra me çmimet më të shtrenjta. Gjatë këtyre 10 viteve, çmimi i ushqimeve u dyfishua.  Dhe sot, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, pensionisti me 143 mijë lekë pension, duhej të kishte një pension 390 mijë lekë. Pra duhej të kishte një pension minimumi 2 herë e gjysmë më të lartë. Po kështu rrogë ulëti. Po kështu rrogëtari me rrogë të mesme. Çfarë ndodhi? Si ne ramë në këtë mënyrë? Pse të tjerët na tejkaluan me pensione tre herë?”, tha Berisha.

r.k./Shqiptarja.com