Berisha: Rinia ka ikur dhe vendi është shkretuar! Programe për rikthimin e të rinjve në atdhe, rritje e tavanit të biznesit dhe ulje çmimesh

24 Prill, 19:49

Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë socialiste për shkretimin e vendit nga rinia, duke u shprehur se në programin elektoral parashikohen ndihma financiare për biznese, strehim, rroga, trajnime dhe studime për këtë kategori, me qëllim që të kthehen në Shqipëri, të jetojnë dhe punojnë këtu.

Berisha iu rikthye përsëri ngritjes së tavanit, atij të biznesit, nga 140 në 180 mijë euro të xhiros dhe rritjes së rrogave.

“Një vend pa rini është shkretëtirë, pa të ardhme. Nëse ka një vend pa rini është Shqipëria e këtyre ditëve. Pak ditë më parë OKB njoftoi se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë, pse? Për shkak të largimit të të rinjve. Le të ikin thotë Rama, janë dembelë! Do ketë bursa 200 euro për studentët. Do paguhet shpenzim për trajnimin profesional të të rinjve. Për çdo të ri që martohet, bëhet çift, do ketë grant 30 mijë euro për shtëpi. Do bëjmë gjithçka që të sjellim kombin në moshën e rinisë. Fëmija i tretë do ketë financim nga 1-23 vjeç nga qeveria, fëmija i parë 60 euro dhe i dyti 70 euro ndihmë nga shteti. Do bëjmë gjithçka për strehimin, financim të bizneseve të tyre, 5 vite pa taksa, do i bëjmë të rinjtë të rikthehen në Sarandë. Kombi duhet të kthehet në rininë e vet, një komb pa rini është pa të ardhme. Parimi ynë është çdo shqiptar një mundësi. Do ulim barrën e bashkive, do e ulim në 1%, tavanet e biznesit do i ngremë nga 140 në 180 mijë euro të xhiros. Tarifa e ujit do përgjysmohet, edhe çmimi i energjisë do të ulet”, tha ai.