"Sot, përpara gjyqtares, refuzova zyrtarisht çdo pajtim me Jamarbër Malltezin dhe Belind Këlliçin pasi u kam bërë një kallëzim penal për fyerje dhe shpifje. Në këtë pikë, procesi do të vazhdojë me praninë në sallë edhe të një prokurori. Ajo që kërkoj është vetëm pak drejtësi."
Kështu është shprehur gazetari Carlo Bollino pas daljes nga gjykata e Tiranës, ku u zhvillua një seancë e procesit gjyqësor që ai ka ngritur kundër dy eksponentëve të Partisë Demokratike.
"Ata më shpifin prej më shumë se një viti, duke pretenduar se kam vjedhur një tokë në pronësi të tyre, mbi të cilën më pas kam ndërtuar, me shpenzimet e mia, Report TV. Ndërkohë, e vërteta është se unë kam marrë me qira një tokë nga shteti dhe ndërtesa, megjithëse e kam ndërtuar vetë, nuk është as në pronësinë time, pasi trualli i përket shtetit. Tani pres që gjykata të sqarojë të vërtetën."

















