Çfarë pritet nga opozita?

7 Dhjetor 2021, 07:12

Ish-kryetarja e Kuvendit, një nga kritiket më të mëdha të Lulzim Bashës, Jozefina Topalli është shprehur se besimi te demokratët është zbehur dhe kjo nuk mund të vijë vetëm me një 'Foltore' nga Sali Berisha, por është skeptike se këtë gjë mund ta bëjë as Lulzim Basha. Ambiciet e saj nuk janë për të marrë drejtimin e PD, por nuk e përjashton si mundësi që të jetë pjesë e një grupi pune që po përflitet, për të ringritur këtë parti. Lëvizja Socialiste për Integrim tashmë ka dalë hapur se rrugët e saj me Partinë Demokratike janë ndarë që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Ish-deputetja Floida Kërpaçi e ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ tha se raporti me demokratët u ezaurua gjatë fushatës elektorale, pasi nuk pati asnjë dalje përballë qytetarëve si një aleancë e bashkuar. Deputeti Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, tha se PD është në një krizë politike, kulturore ose antropologjike. Gjekmarkaj tha se PD është në një përballje të madhe me veten ku brezat e saj në vend se të ishin në një harmoni racionale, pa shtypur një brez, brezin tjetër, i kanë shpallur luftë në një lloj mënyre njëri-tjetrit. Në lidhje me Kuvendet e PD, ai tha se mbështetësit e Berishës duhet të vijnë në Kuvendin e 18 dhjetorit të thirrur nga Basha, për të diskutuar, debatuar, por në fund të dalin si një parti e bashkuar.