‘Deja Vu’ e një viti më parë, Durrësi ‘pushtohet’ nga mbeturinat në prag të sezonit turistik, banorët: Turp

9 Qershor 2021, 13:17 | Përditesimi i fundit: 2021-06-09 14:04:52

DURRËS- Për më se një vit, Bashkia e Durrësit nuk ka gjetur një zgjidhje se ku do të depozitojë mbeturinat, duke krijuar në prag të sezonit turistik një situata alarmante. Koshat e mbeturinave janë të tejmbushur, duke u zbrazur edhe në rrugë e duke u shndërruar në një shqetësim serioz për shëndetin e qytetarëve.

Si zgjidhje provizore një vit më parë u gjet depozitimi i këtyre mbeturinave në një landfill privat në Tiranë pa pagesë, por kjo kontratë ka përfunduar dhe Bashkia nuk gjetur ende një zgjidhje, edhe pse ishte një skenar i pritshme kjo që po ndodh sot. Edhe pse nuk thuhet zyrtarisht, ato bëjnë “fajtorë” qeverinë duke thënë se shkak është bërë mos pagesa e për trajtimin e plehrave nga ana e tyre e cila ka marrë përsipër pagesën e përpunimit në landfillin privat.

Report Tv ka tentuar të kontaktojë me përfaqësues të Bashkisë, por ato kanë zgjedhur që të “heshtin” duke mos dhënë asnjë prononcim.

“Më turp nuk ka, pisllëk i gjallë, sot i pashë. Kërkoj vetëm të hoqën mbeturinat, shtë gjë e thjeshtë, dëmton sezonin turistik. Vjen mikrobi, sëmundja”

“Infeksionin në shtëpi do marrim, fëmijët, dalim xhiro këto. Imazhin e Durrësit e dëmton, Bashkia të marrë masat”

“T’u bëhet yzmeti të pastrojnë se për atë punë marrin taksat, dëmtojnë imazhin, 10 vjet ky muhabet, plehrat janë gjëra e para që duhet të pastrohen”, thanë banorët për Report Tv.