Po diskutohet sot te Komisioni i Ligjeve edhe Buxheti i vitit 2025 për organet ligjzbatuese, përfshi edhe Prokurorinë.
Pikërisht kjo e fundit u bë temë debati mes opozitës dhe mazhorancës, pak pasi raportoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, që ka nën administrim edhe Burgjet.
Debati u fokusua te buxheti i Prokurorisë së Përgjithshme, ku ra në sy mungesa e kreut të saj, Olsian Çela.
Kaq mjaftoi që PD të kërkonte llogari për mosprezencën e tij dhe të ngrinte dyshime. Ishte pikërisht kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që u shpreh se ata kishin kërkuar për raportim të buxhetit kryeprokurorin dhe jo përfaqësues zëvendësues të institucionit. Kryetarja Klotilda Bushka shpjegoi se Çela kishte angazhime të tjera dhe në këto raste kjo është praktika, ku zëvendësohet me një tjetër. Bardhi kritikoi se kryeprokurori duhet ta mbrojë vetë buxhetin dhe jo të dërgojë përfaqësues.