Dosja/ Ilaç kundër insekteve të perimeve për dëshmitarin Luftar Reçi, si e porositi Reqi i Korçës punonjësin e burgut për ta ‘hequr qafet’, pagesa 100 mijë euro për helmimin

4 Mars 2022, 18:59 | Përditesimi: 4 Mars 2022, 18:59

Kur i penduari i SPAK-ut Lulftar Reçi kërkoi kohë për t’u menduar për ofertën 260 mijë USD dhe një shtëpi për gruan, në këmbim të ndryshimit të dëshmisë që implikonte Emiljano Shullazin në vrasjen me bombë të Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsi në vitin 2005, ndërmjetësit nisën zbatimin e planit B, për ta helmuar në burg. Më 28 dhjetor 2021, Elton Goskova, i njohur si Reqi i Korçës, është takuar me punonjësin e Burgut të Drenovës, Emiljano Peleshko, me qëllim për të hequr qafe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Lulftar Reçin, duke helmuar. SPAK kishte zbuluar tashmë planin A, për blerjen dhe korruptimin e Reçin, ndërsa po monitoronte edhe planin B.

Reqi i Korçës i ka ofruar Peleshkos 100 mijë euro për t’i hedhur pesë pika helm Luftar Reçit në ushqim, ndryshe e priste plumbi. Peleshkos i ka thënë Elton Goskovës (Reqi) që ‘do të flasim prapë’, me qëllim për të fituar kohë dhe për të koordinuar veprimet me SPAK-un. Takimi i dytë është zhvilluar tek ‘Terminali’ në Korçë. Krahas Reqit të Korçës, në makinë ishte edhe një person i maskuar, i cili i ka treguar një pistoletë, duke i kërcënuar se do ta vriste nëse nuk hidhte helmin në ushqimin e Luftar Reçit.

r.k./Shqiptarja.com