Gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve, mbi 6 muaj pasi Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë u morën të pandehur dhe rreth 5 muaj e gjysmë pas dërgimit të dosjes në gjykatë, procesi gjyqësor për aferën korruptive “Partizani” nuk nisi as këtë të premte. Sërish një zvarritje e provokuar nga të pandehurit.
Sali Berisha u mor i pandehur me akuzën e korrupsionit më 11 shtator 2024. Një muaj më pas më 15 tetor, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dërguan në gjykatë 333 fashikujt hetimorë, ndërsa të nesërmen më 16 tetor u caktua me short gjyqtarja e seancës paraprake Flojera Davidhi, e cila vetëm pak javë pasi e mori në duar, vendosi t’i heqë masën e sigurisë ish kryeministrit Berisha, duke e çliruar nga “arresti shtëpiak” ku qëndroi për 11 muaj. Vendim i cili u rrëzua në Apel, ku gjyqtari Engert Pëllumbi i riktheu masë siguri ish kryeministrit, këtë herë detyrimin për tu paraqitur dy herë në muaj në Prokurorinë e Posaçme.
Davidhi, tashmë e përcaktuar si gjyqtarja e seancës paraprake të Partizanit, caktoi 24 tetorin për seancë të parë, ku logjikisht mund të kishte edhe një vendim për kalim të dosjes në gjyq, por edhe tani kur kanë kaluar më shumë se 10 seanca të gjata dhe shtyrje pa fund ende s’ka një vendim.














