Ekskluzive/ Reportazh nga Spitali Memorial i Fierit, në pritje të pacientit të parë

27 Maj 2021, 10:11 | Përditesimi i fundit: 2021-05-27 10:24:21

Spitali Memorial rajonal i Fierit, një investim ky i qeverisë turke në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në vlerën e 70 milion eurove. Një ndërtesë që u ndërtua në kohë rekord në një periudhë tre mujore, e që duke filluar nga sot do të jetë në shërbim të qytetarëve. Në këtë ndërtesa prej më shumë se 17 mijë metra katrorë do t’u ofrohet shërbim 150 pacientëve, me shërbim të teknologjive më të fundit. Në të gjitha dhomat e këtij spitali përdoret teknologjia më e fundit, teknologji që përdoret pothuajse në të gjitha spitalet turke. Një bashkëpunim mes mjekëve turq dhe shqiptar për t’iu ofruar shërbimin dhe standardin më të mirë jo vetëm qytetarëve të qarkut të Fierit por të gjithë qytetarëve të Jugut.

Një investim që u garanton qytetarëve shqiptarë një shërbim të standardeve  evropiane që nga urgjenca, kontrollet por dhe ndërhyrjet kirurgjikale." Kjo dhomë përdoret për të ekzaminuar të gjithë pacientët tanë që vijnë në këmbë këtu. Pacientët tanë, do të priten nga ne dhe do të marrin nga ne vlerësimin e parë dhe më pas do të caktohet se ku do të drejtohen! Në bazë të gjendjes së tyre ne përcaktojmë nëse ata do të vendosen në sallën e mbikëqyrjes apo do të shtrohen. Pra këtu është vendi i parë ku bëhet vlerësimi i pacientëve. CPR është një dhomë që uroj të mos e përdorim shumë! Në këtë zonë vijnë të gjithë ata persona të cilët mund të kenë humbur vetëdijen, mund të kenë pësuar arrest kardiak dhe në fakt është vendi më i rëndësishëm i emergjencës. Në këtë zonë ne do të mundohemi tu japim ndihmë të gjithë atyre të cilët gjenden në gjendje të rëndë!’, tha Shefi i urgjencës Erman Moral.

Ndërkohë që në sallën e operacionit përdoren teknologji që nuk janë parë më parë siç na e rrëfen edhe vetë kirurgu i njohur turk Bülent Cavit Yüksel.

“Kjo është një tabelë që mat lagështinë, ajrin, ndriçimin dhe sistemin zanor. Në fakt në këtë tabelë gjendet truri i sallës së operacionit. Kemi po ashtu edhe një nga sistemet më të mira në botë të filtrimit”, tha kirurgu turk.