TIRANË-Erigers Mihasi, i ekzekutuar me breshëri plumbash pasditen e së shtunës në zonën e “Astirit” në Tiranë, nuk donte që të binte në sy. Muajt e fundit kujdesej për çdo lëvizje dhe qëndronte vigjilent. Siç duket, miku i ngushtë i Ervis Martinajt i druhej një sulmi të mundshëm nga grupet rivale. Në mesin e shumë të pyeturve në lidhje me ngjarjen janë edhe disa miq të tij. Njëri prej tyre ka treguar para hetuesve se Mihasi nuk ishte shumë qetë dhe kishte marrë masa për t’u mbrojtur.
"Erigersi kujdesej për të gjitha lëvizjet që bënte. Prej kohësh evitonte qëndrimet në ambientet publike dhe ishte vigjilent kudo që lëvizte. Të vetmet vende që qëndronte ishin rreth zonës ku kishte shtëpinë, me njerëz që u besonte" – tha para hetuesve njëri prej miqve të Erigers Mihasit.














