Si u përdor arsimi gjatë diktaturës, si mjet terrori, ndaj fëmijëve të kundërshtarëve të regjimit komunist? Çfarë direktivash ndiqeshin në shkolla kundër tyre, dhuna fizike e psikologjike dhe pamundësia për tu shkolluar për shkak të biografisë. Rrëfimi personal i historianit Xhafer Sadiku dhe historia e tij familjare nën cilësimin diskriminues ‘kulak”.
Familjet që e kundërshtuan komunizmin e të tjerat që regjimi i shpalli armiq të pushtetit u privuan për gjysëm shekulli në Shqipëri, nga çdo e drejtë njerëzore. Të ishte fëmijë i një familje të tillë ishte një barrë e rëndë e shpesh e padurueshme. E vetmja degë ku mund të kapeshe ishte ngushëllimi i të vërtetës, se pjesa dërrmuese e këtyre familjeve qenë flamurtarë të patriotizmës e punët më të vlerata të historisë mbanin pikëirhst emrin e tyre. Por kjo histori e ndritur ishte njëkohëisht edhe arsyeja e luftës që ju bëhej. Dhe kjo luftë isht e egër dhe e pakompromis, ajo nuk kursente as fëmijët në djepa, e as pleqtë në ditë te fundit të jetës.
Xhafer Sadiku, historian dhe autor i një varg librash me vlerë të veçantë për historiografinë, është po ashtu një fëmijë që vjen nga familje patriotike që vuajti mbi supe, një histori të gjatë e të vështirë terrori, pa pasur asnjë faj.
Ai ka studuar në arkiva prej afro 3 dekadash çdo fenomen të diktaturës në Shqipëri, dhe e ka zbërthyer në detaje gjithë formulën diabolike të funksionimit të kësja diktature për gjysëm shekulli. Në thelb të kësja formule ai vendos ndryshimi rrënjësor që regjimi komunist i bëri shoqërisë shqiptare. Përmes një rrëfimi vetjak ndërthurur me një analizë historike, historiani Xhafer Sadiku do të na zbërthej në këtë episod të dosjes K, një nga plagët e rënda të diktaturës përdorimin e shkollës si një armë terrori mbi fëmijët e familjeve kundërshtare e përmes saj, krijimin e një shoqërie të indoktrinuar e të devijuar nga thelbi i saj.
“Dosja K”, një cikël dokumentarësh historikë, me autore gazetaren Admirina Peçi, sjell premierë çdo të shtunë në ora 21:00 në Report tv, historitë e panjohura të persekutimit gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri.
Intervista, dëshmi, dokumente historike, ngjarje të panjohura që zbardhen dekada më vonë, personazhe të rrallë të kësaj periudhe, që frymëzojnë sot me qëndresën e tyre, me dashurinë dhe sakrificat, në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.




















