Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “Vila 31 x Art Explora” sjell bashkëjetesën e kujtesës historike me krijimtarinë e gjallë të së tashmes.
Në ceremoninë e pritjes së rezidentëve të parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera, në “Vila 31 x Art Explora” – ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, Gonxhja tha se transformimi i “Vilës 31”, është shembull i përkushtimit për të promovuar artin dhe kulturën si motorë të zhvillimit ekonomik, forcimit të identitetit dhe rritjes së ndikimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore.



















