Humbi kontaktet me familjen në vitin 2013-të, u zhduk pas krahëve të nënës, familja në kërkim 24-vjeçares

| Përditesimi i fundit: 2019-01-15 13:30:55

Në emisionin “Pa gjurmë”, këtë të hënë erdhi e prezantuar historia e 24-vjeçares Eligerta Gjuzi e cila ka humbur kontaktet me familjen në maj të vitit 2013, dhe prej atëherë familja e saj kërkon prej  5 vitesh. 

Kur Eligerta ishte vetëm 17 vjeçe u martua me Arbenin në vitin 2012 mbetet shtatzënë dhe sjell në jetë djalin e tyre të vetëm Orgiton. Gëzimi në familjen Kaseli ishte i madh, aq sa e madhe ishte edhe familja e tyre, pasi Arbeni ishte vëllai i 6 vëllezërve të tjerë dhe tre motrave. Eligerta kalonte kohë me rritjen e djalit edhe në familjen e saj me banim në Rrogozhinë.

Në maj të vitit 2013, Eligerta përballet me një problem shëndetësor në frymëmarrje të djalit dhe i duhej ta dërgonte drejt spitalit të Kavajës. Arbeni, bashkëshorti ndodhej në Burrel ndërsa Eligerta tek e ëma Merushja. Të dyja nënë e bij nisen drejt spitalit me furgon nga Rrogozhina drejt Kavajës.

Ndërsa mbërrijnë dhe Eligerta qëndron për të paguar paratë e udhëtimit, nëna e saj Merushja me fëmijën në krah kalon rrugën. Kur bën një copë rrugë me mendimin se Eligerta ishte pas saj, kthen kokën dhe nuk e sheh më vajzën. Pas zhdukjes së Eligertës familja pësoi një tjetër dramë. Me një nënë të zhdukur pa gjurmë dhe një baba që humbi jetën pas një aksidenti me makinë 6 muaj nga humbja e Eligërtes, Orgito djali i tyre i vetëm mbetet pa nënë e pa baba, kur ishte ende 1 vjeç. 

Teksa flet për kalvarin e vuajtjeve dhe ndjenjën e mungesës për të bijën e humbur në gjithë këto vite, nëna e 24 vjeçare, s Merushe Gjuzi në studion e emisionit përballë gazetares Odeta Dume ka folur për përballjen e fundit me vajzën e saj, Eligerta Gjuzin dhe marrëdhëniet e mira që ajo ka patur me të shoqin.

Atë ditë që u zhduk kishte sëmurë fëmijën,çunin e vogël  i merrej fryma  dhe ne zbritëm në qendër të Kavajës, zbritëm nga furgoni.  Unë kalova përpara, kur ajo po paguante biletat , ndërsa ne po kalonim rrugën , kur u ktheva se pashë vajzën, goca u zhduk.  I Bija telefonit , ma mbyllën telefonin.Mbas dy orësh  nga zhdukja e saj më ka marrë në telefon . E pyeta ku je moj bijë e mamës. Ajo më tha “O ma më kanë marrë dy burra” vetëm këtë muhabet i kam dëgjuar fëmijës, kam 6 vjet e gjysëm. I shoqi e ka pas dashur jashtë mase dhe e ka kërkuar për gjashtë muaj por ai ka ndërruar jetë pas gjashtë muajve.  Dhe që atëherë telefoni i saj ka dalë i fikur.

Merushe Gjuzi, nëna e Eligertës

Më tej  Merushja rrëfen se ka  bërë  denoncim edhe në Policinë e Tiranës.

Pas ngjarjes dhe zhdukjes së mistershme të Eligertës më 3 maj të vitit 2013, në familjen e saj vinin shpesh telefonata anonim, por kurrë asnjë gjë nuk u dëgjohej pas tyre. Askush nuk përgjigjej.

Tre vjet, s’kam lënë natë edhe ditë që e kam kërkuar. Shkova bëra denoncim në polici, me gjithë çunin ndër duar. Në komisariat më pyetën për moshën e vajzës. Unë i thashë se ishte 18 vjeç, ndërsa më thanë që nuk kemi  të drejtë ta kërkojmë sepse ka mbushur moshën", u shpreh Merushja nëna e 24-vjeçares.

Në studion e pa gjurmë foli dhe Mahmut Gjuzi, babai i Eligertës. Ai tregoi se ka marrë një telefonatë nga një zonjë nga Tirana e cila më pas doli se e kishte gënjyer. Ai ka rrëfyer se ditën kur humbi kontaktin me familjen Eligerta ka patur vetëm një kartë identiteti me vete.  

"Nëse Gerta më dëgjon të kthej, kokën pas për Orgiton, djalin e vogël. I lutem Zotit vetëm të jetë gjallë", është shprehur Merushja.

Djali i vogël , Oligerti është vetëm 6 vjeç dhe ka zbuluar disa foto të së ëmës përmes kërkimeve në internet në google. Djali i vogël i ka përcjell një mesazh të ëmës duke kërkuar që e ëma të kthehet në shtëpi. Sot kanë kaluar më shumë se 5 vite dhe kur Orgito është afro 6 vjeç, familja e Eligertës, babai dhe e mëma  kërkon të dijë fatin e vajzës së tyre me djalin të cilin po e rrit vetë pas dramës që tronditi familjen e tyre. 

Programe të tjera

Shiko të gjitha