Një humbje e mistershme e një 18-vjeçari nga Belshi i Elbasanit na kthen 14 vite pas në kohë. Ishte viti 2010 kur Erjon Gjolena u nis drejt Greqisë, sëbashku me mikun e tij Pëllumb Muca, më datë 2 Mars. Ndërsa kaluan në tokën Helene, ilegalisht dhe duke bërë 4 ditë rrugë në këmbë, Pëllumbi sëmuret dhe Erjoni u detyrua ta nxirrte në rrugën kryesore për t’ja dorëzuar policisë. Pas ketij moment 18 vjecari i asaj kohe u shkëput gjatë udhëtimit duke humbur kontaktet me mikun e tij.
Me destinacion një zonë që ndodhet dy orë larg nga Katerini, Erjoni mbërriti shëndoshë e mirë. Në këtë moment ai mori në telefon Arditin vëllain e tij, ndërsa i tha se gjithcka ishte mirë dhe se po mundohej të gjente një punë. Kontaktet i kishin të rregullta deri më datë 8 mars, datë e cila shënon telefonatën e fundit që Erjoni realizoi me të vëllanë, të cilit i pohoi se kishte dalë për kafe, por më pas shkëputën cdo kontakt.
Nga kërkimet e familjarëve mësohet se atë ditë që i riu ndodhej në Greqi, kishte komunikuar me një bari grek, ndërsa ky i ishte lutur të qëndronte, pasi kishte rënë nata. Të nesërmen, para se të largohej Erjoni mësohet se kishte thënë që do të shkonte në drejtim të Katerinit, atje ku ndodhej edhe një tjetër mik i të riut.
Familjarët kanë ndjekur të njëjtin itinerar sipas këtyre fjalëve duke kërkuar në Katerini, por atje nuk mundën të gjenin asnjë gjurmë të Erjon Gjolenës.
Këtu lindën dyshimet e para se Erjoni kishte gënjyer në lëvizjet që po bënte, arsye të cilën familjarët nuk e dinë ende.