I dashuri e detyron ta “braktisi” foshnjen ne Londer, sot dy ish-partnere ne kerkim te vajzes

15 Janar, 21:25 | Përditesimi i fundit: 2019-01-15 21:26:08

Leonard Lazaj sëbashku me Brunilda Hajrulla kanë qenë këtë të martë në studion e "Pa Gjurmë", ku kanë rrëfyer gjithçka në transmetim të drejtëpërdrejtë.

Unë ia mohova se isha i martuar. Ndodh një moment që vijnë prindërit e Brunildës dhe portën e hap bashkëshortja ime. Ata më pyetën nëse mund të futeshin brenda dhe më pas më pyetën për bashkëshorten nëse ishte motra ime, por unë i thashë që jo. Ata donin të largoheshin por unë i thashë që mund të diskutonim. Gjatë asaj kohe kisha dhe vakinë e xhaxhait tim, takoheshim rrallë, unë e doja Brunildën si një i ri që isha, por jo që të prishja familjen për të, isha i ri, shumë i ri. Kam gabuar dhe i kërkoj falje për këtë. Unë e di që për këtë ka filluar dhe kalvari i vuajtjeve.

Pas takimit me prindërit i them Brunildës që do ikja në Itali, por ajo më tha që përpara së të ikja t'i lija një kujtim për hir të dashurisë, më kërkoi një fëmijë. Para se të shkoja në Itali ajo ngeli shtatzënë, sapo e kishte marrë vesh këtë gjë. Pas dy tre muajsh më thotë që donte të vinte me mua në Itali. Ajo donte të vinte që t'iu shmangte përballjes me prindërit. E kam mbajtur përreth 3 muaj unë në Itali. Gjatë këtyre tre muajve, herë gjeja punë, herë nuk gjeja. Duke e parë që nuk po gjeja punë dhe duke pasur një djalë xhaxhai në Angli bëra c'bëra dhe gjeta lekë borxh, kështu e nisa Brunildën në Londër, aty ku lindi vajzën tonë. 

Leonard Lazaj

Ndërsa Brunilda, e emocionuar, rrëfeu për moderatoren e emisionit Odeta Dume se asokohe kishte rënë kokë e këmbë në dashuri me Leonardin dhe se do të bënte gjithçka që të qëndronte pranë tij. Ajo tregoi më pas se që nga momenti i ardhjes në Shqipëri, ka bërë cdo gjë të mundur për të rimarrë vajzën e saj.

Unë kontaktoj me një avokat dhe rikthehem në Londër në më pak se një vit, për të zhvilluar gjyqin. Vajza ime u birësua pa dijeninë time. Unë kurrë nuk kam thënë që dua ta lë vajzën për birësim, pavarësisht se çfarë është shkruajtur apo thënë. Letrat që na i dërgonte familja angleze, punonjësja m'i dërgonte në një qendër sociale. Më pas i humba kontaktet me të dhe nuk e pashë më kurrë. Cfarë nuk kam bërë që të di se ku gjendet dhe sesi është.

Brunilda Hajrulla

Leonardi, i cili vendosi që të mos e bënte publike fytyrën e tij, më tej tregoi sesi erdhi në jetë djali i dytë. Ai u shpreh në emisionin "Pa Gjurmë" se ndihej i pikëlluar për gjendjen e Brunildës dhe se përsa kohë punonin sëbashku në lokalin e tij, ishte e pashmangshme kontakti me Brunildën. Leonardi rrëfeu edhe sesi e ka përjetuar bashkëshortja lindjen e fëmijës së dytë nga kjo marrëdhënie, duke përshkruar se bashkëshortja e tij ishte shtruar në spital dhe se nuk kishte folur asnjë fjalë për këtë.

Në përfundim të emisionit, të dy pohuan se midis tyre nuk ka më asgjë, e megjithatë, sërish mbeten në kërkim të së vetmes gjë që i bashkon, në kërkim të vajzës së tyre, Suelës. 

Programe të tjera

Shiko të gjitha