Kandidate për deputete në listën e PS, Luljeta Bozo për Report Tv: E pranova si detyrë qytetare, do të jap maksimumin!

5 Mars 2021, 17:44 | Përditesimi i fundit: 2021-03-05 17:44:49

Luljeta Bozo, profesoreshë e nderuar në fushën e inxhinierisë, e cila luajti një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së vështirë të pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me shumë mundësi do të jetë përfaqësuese e shqiptarëve në Kuvendin e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Mëngjesin e sotëm Kryeministri Rama e prezantoi se një prej kandidatëve të listës së PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për znj. Bozo ky propozim erdhi i papritur por ajo tregon se pas një momenti hezitimi vendosi ta pranojë atë.

Propozimi erdhi nga një takim pune për programin e rindërtimit! Nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje që një ditë mund të isha pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.  Në minutën e parë u befasova por duke ditur dëshirën që kanë njerëzit për personazhe si mua dhe plot të tjerë që mund të japin zërin, opinionet dhe mendimet për zgjidhjen e problemeve dhe  vlerësimet që kishte Kryeministri pas një hezitimi të vogël e pranova, si një qytetare jo se e kisha objektiv për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë", tha Bozo në një intervistë ekskluzive për Report Tv.

E pyetur për qarkun ku do të kandidojë inxhinierja e njohur thotë se njoftimi ishte kaq i papritur sa ende nuk e di se ku do të bëjë fushatë.