Koronavirusi mbërrin në Itali, a rrezikohet Shqipëria?

26 Shkurt 2020, 15:47

Masat për parandalimin e Koronavirusit, karantina dhe sa efikase janë kontrollet në kufi ka qenë pjesë e diskutimit mes ekspertëve të shëndetësisë në emisionin "Repolitix" .  Koronavirusi është shumë pranë Shqipërisë dhe kjo ka rritur ndjeshëm panikun te qytetarët, por sipas ekspertëve nuk ka vend për panik dhe se njerëzit duhet të tregohen të ndërgjegjshëm dhe të vetizolohen në shtëpi nëse dyshojnë apo shfaqin shenja të një gripi të thjeshtë.

Të ftuarit në studio Gjergj Koja, ish- ministër i Shëndetësisë; Gazmend Koduzi, komisioni i Shëndetësisë në PD; Entela Ramosacaj, mjeke infektive; Enver Roshi, kryetar i komisionit të Shëndetësisë, thanë se personat që kanë dyshime duhet të marrin në telefon urgjencën apo numrin jeshil 127 në mënyrë që mjekët t'i bëjnë analizat e duhura për të vërtetuar nëse është mbartës apo jo i koronavirusit. Në lidhje me përdorimin e maskës mbrojtëse të gjithë u shprehën njëzëri se nuk ishte e nevojshëm të mbahet për njerëzit e shëndetshëm, por vetëm ata që kanë probleme respiratore, grip, kollë apo teshtima.

Karantina ishte një tjetër çështje e diskutuar se si mund të bëhej ajo. Eksperti i PD tha se duhet të futeshin në karantinë të gjithë personat që vinin nga zonat e prekura, ndërsa ekspertët e tjerë të shëndetësisë u shprehën se nuk ka arsye pse të hyjnë të gjithë nëse nuk kanë simptoma apo nuk shfaqin shenja. 

Gjithashtu gjatë emisionit "Repolitix" pati një lidhje telefonike me mjeken Adela Sulejmani nga Monza e Italisë, e cila bëri një panoramim të situatës nga koronavirusi. Duke bërë një krahasim me Kinës, për mjeken, një nga arsyet se përse në Itali nuk janë regjistruar një numër shumë i lartë vitkimave është higjena personale që kanë vetë italianë, bashkë me ta edhe shqiptarët.

 

Emisionin "Repolitix" me moderator Denis Mingën mund ta ndiqni çdo të martë dhe të mërkurë në orën 20:55 në ekranin e Report Tv