Korreshi te Ligjet: Pleqtë s’kanë lekë për të blerë mbathje!

19 Maj 2023, 11:39

Deputeti Saimir Korreshi nuk e ka kundërshtuar projektin e rritjes së pagave nga qeveria por sugjeron që të kthehen sytë nga pensionistët. Edhe për politikanët që nuk i rritet paga, Korreshi thotë se nuk mund të bëjnë dot një jetë normale për shkak të çmimeve të larta.

“Mamaja ime me 10.700 lekë në muaj, 1 bukë misri dhe 1 shishe kos në ditë bëjnë 200 lekë, për 30 ditë bëjnë 6000 lekë. Me bukë gruri shkon 7500 lekë. 4000 lekë i ka ilaçe kur është mirë. Mbeten 8000 lekë për drita ujë dhe të tjerat me radhë. Po të tjerët si ja bëjnë, s’kanë lekë për të blerë mbathje, këta njerëz janë duke pritur vdekjen se s’mund të jetosh me kaq lekë. Ose do fillojnë pleqtë të vjedhin ose do marrin ushqimet e hedhura nga tregtarët. Të shkojnë në Lushnje e të shohin si rrinë në radhë. Të shohin nëse me rrogën e parlamentit mund të çojnë fëmijët në kinema, të hanë një drekë jashtë apo t’i blejnë patatina e çokollata. Çfarë do bëjmë me këta njerëz, t’i lëmë të presin vdekjen? Po të kontrollosh burrat në Lushnje, t’i kthesh përmbys nuk kanë as 50 lekë. Po t’i ftosh për kafe, e kam pirë thotë, ai e ka pirë me datë 1 kur ka marrë rrogën. Nuk jemi kundër rritjes së pagave, por do ia kthejmë ndonjëherë dinjitetin këtyre njerëzve për të jetuar?”, tha Korreshi. 

S’kanë lekë për të blerë mbathje! S’kanë lekë për të ngrënë bukë, e kupton? Unë mendoj që këta njerëz janë duke pritur vdekjen, se jetë nuk mund të bësh me 100 lekë në muaj. O do bëhen dhe pleqtë hajdutë se s’kanë ça bëjnë të shkretët, ose do shkojnë te koshi i plehrave ose të shkojnë te tregu të marrin speca e gjithë ato që nuk shiten. Po të shikosh te tregu i Lushnjes i ke të gjithë pleqtë me radhë atje për të marrë ato që hedhin tregtarët. Ju ftoj me një kamera për të parë”, tha Korreshi drejtuar ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.