E ftuar në këndin e kuzhinës Sara Payman, vajza indiano-iraniane që jeton prej 2 vitesh në Shqipëri. Ajo sjell një recetë të shpejtë nga kuzhina persiane “Kuku”, një omletë furre në formë keku me lakër dhe bimë aromatike.
‘Kuku’, recetë persiane – Omletë furre me lakër dhe bimë aromatike
Përbërësit:
- 6 vezë
- 2 lugë gjelle miell
- 1 lugë çaji sodë buke
- 300 gr lakër, e grirë hollë
- 1 qepë, e prerë në shirita të hollë
- 1 tufë majdanoz, i grirë hollë
- Shafran Indie dhe kumin
- Kripë, piper
- Vaj ulliri
Përgatitja:
Fillimisht me pak vaj ulliri kaurdisim qepën e prerë në shirita të hollë dhe më pas shtojmë lakrën e grirë hollë. Ndihmojmë zbutjen me pak ujë. Ndërkohë rrahim vezët mirë me rrahëse që të krijojnë volum. Tek vezët shtojmë gradualisht duke e rrahur miellin dhe sodën e bukës. Shtojmë lakrën e zbutur, erëzat dhe bimë aromatike sipas dëshirës. Të gjithë masën e kalojmë në një tavë dhe e vendosim në furrë derisa të mpikset dhe të marrë një ngjyrë të bukur sipërfaqja.





















