Manastirliu: Transformimi i UBT me standardet e BOKU të Vjenës, pasaporta akademike europiane për studentët

22 Korrik, 12:41 | Përditesimi: 22 Korrik, 12:41

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka prezantuar sot ofertën e re akademike, të përafruara me programet e BOKU (University of Natural Resources and Life Sciences)  të Vjenës, duke nisur një proces transformues të UBT, me standardet më të mira europiane. Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillit Rural Anila Denaj, Rektori i UBT Fatbardh Sallaku, maturantë, pedagogë e prindër.  

Universiteti Bujqësor i Tiranës hap këtë vit akademik 9 programe të reja studimi që janë arritur falë një analize të thelluar dhe bashkëpunimi intensiv me një nga universitetet më prestigjioze të Europës në fushën e shkencave të jetës, BOKU i Vjenës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj tha se kjo është faza e parë e reformimit të UBT, e cila përfshin ristrukturimin e ofertës akademike, riorganizimin e programeve dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore dhe mësimore në këtë universitet.

“Në një vit është punuar ngushtësisht mes UBT dhe BOKU të Vjenës, për të transformuar rrënjësisht ofertën akademike dhe sot ofron 9 programe të reja, në përputhje me standardet e BOKU, një universitet lider në fushën e shkencave të jetës në Europë”, tha Manastirliu.

r.k./Shqiptarja.com