Pas mbledhjes së sotme të qeverisë ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Koçiu bëri me dije për mediat se u mor vendimi për dhënien e një shpërblimi fundviti për 275 mijë familje dhe individë, të cilët do përfitojnë 15 mijë lekë të reja.
Ata që do përfitojnë i përkasin kategorisë së familjeve me ndihmë ekonomike, jetimët, të verbërit, tetra dhe paraplegjikët, ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar. Fondi i akorduar nga mbledhja e qeverisë për këtë shpërblim është 2.1 mld lekë.
'Me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare, u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit kësaj kategorie. Për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social, janë pikërisht 15 mijë lekë apo 150 euro që i akordohen familjeve në nevojë, fëmijëve pa kujdes prindëror, individëve që kanë statusin e para apo tetraplegjikë, si edhe statusin e të verbërve', u shpreh ministrja Koçiu.



















