Mijëra pensionistë nuk morën pensionin në karantinë, KLSH: ISSH nuk menaxhoi me efektivitet pandeminë

5 Korrik 2021, 14:21

TIRANË-Me mijëra pensionistë kanë mbetur pa të ardhurat mujore gjatë vitit të kaluar si pasojë e pandemisë COVID-19. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në muajin mars, prill, maj 2020 kur në vend u aplikua karantina dhe qarkullimi ishte i kufizuar, me mijëra qytetar nuk kanë marrë pensionin mujor, për shkak se Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk ka arritur të menaxhoj me efektiviteti situatën e krijuar.

“Për shkak të masave kufizuese të lëvizjes, një numër i lartë i pensionistëve nuk kanë mundur të tërheqin pensionin e tyre, ku gjatë muajit mars konstatohen 174,890 përfitime të pa tërhequra, gjatë muajit prill 162,450 përfitime të pa tërhequra dhe gjatë muajit maj 160,450 përfitime të pa tërhequra. E përkthyer në vlerë monetare, gjatë muajit mars ka pasur 1,317,188,590 lekë përfitime të pa tërhequra, gjatë muajit prill ka pasur 932,395,235 lekë përfitime të pa tërhequra dhe gjatë muajit maj 794,021,886 lekë përfitime të pa tërhequra”, thuhet në auditimin e kryer nga KLSH në ISSH, mbi “fondi rezervë i institutit të sigurimeve shoqërore”.