Pasi falenderoi ambasadorët dhe të pranishmit në prezantimin e raportit të GRECO në luftën kundër korrupsionit, ministri i brendshëm, Ervin Hoxha ndau disa nga arritjet që po çojnë në përmbushjen e standardeve të Këshillit të Evropës dhe drejt integrimit vendin.
Ministri theksoi përmbylljen me sukses të raundit të GRECO me 24 rekomandime, gjysma e të cilëve janë fokusuar në vlerësimin e imtësishëm të performancës së Policisë së Shtetit.
“Përmbushja e rekomandimeve është rezultati faktik i gjithë përpjekjeve, për të forcuar çdo hallkë integriteti në Policinë e Shtetit, agjencinë më të madhe ligjzbatuese në vend”, tha Hoxha.
Ai shtoi se ‘janë planifikuar masa dhe aktivitete konkrete, që përfshijnë ndryshime strukturore, hartim aktesh ligjore e nënligjore, inicim procesesh të reja pune në institucion, si dhe trajnime të vazhdueshme’.
Mes tyre ligji “Për Policinë e Shtetit”, miratuar në korrik 2024, duke adresuar plotësisht çdo rekomandim të GRECO, me asistencën e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Po kështu Rregulloren e miratuar të Policisë së Shtetit.