Murrizi nxjerr videon e përplasjes me Nokën: Heshtni kërminj politikë! Koalicioni dështim total, trim pas beteje mund të jenë vetëm spurdhjakët

28 Maj, 13:35 | Përditesimi: 28 Maj, 13:35

Myslim Murrizi, i cili kandidoi në listën e hapur të PD në Tiranë, ka reaguar lidhur me humbjen e thellë të opozitës më 11 maj. Në një postim në rrjete sociale, ai ka ndarë një video nga Këshilli Kombëtar i partisë, i mbajtur më 12 shkurt, ku shpreh kritika të ashpra dhe përplaset me Flamur Nokën.

Murrizi tregon se i ka dalë kundër Nokës, pasi sipas tij të gjithë deputetët që futen në listën e hapur rrezikojnë karrigen në Kuvend. Gjithashtu, Murrizi shkruan se koalicionet ishin një dështim, ndërsa thekson se PD ka pësuar dëme nga “heshtja dhe servilizmi i një grushti të pështirë hileqarësh”.  

Murrizi shkruan se tani pas humbjes duhet të heshtin, pasi kur ai ngriti zërin, askush nuk foli. Teksa iu referohet si “kërminj politikë”, ai thotë se “trim pas beteje dhe të mençur pas kuvendit mund të jenë vetëm spurdhjakët”.

r.k./Shqiptarja.com