Familja jonë e ka origjinën nga Poroçani i rrethit të Gramshit. Ka qenë një familje e pasur, por pasurinë e ka vënë gjithçka me djersë, nuk ka as grabitur apo zhvatur apo vrarë e prerë njeri. Gjithçka e ka pasur me mund e me djersë, bile gjyshi im e ka lënë jetim i ati, me gjithë një vëlla dhe një motër, dhe nuk e mbante mend fare të atin. Por, bashkë me një kushëririn e tij, që kanë ndenjur bashkë deri në vitin 1942, punuan së bashku, vunë pasuri dhe duke qenë atje me blegtori, arritën që blenë edhe toka në zonën e Dumresë, në fshatin Çërragë, Çeshtije ose Axhalije siç i thoshin më përpara dhe në fshatin Fierzë.Edhe duke blerë edhe toka, duke pasur edhe blegtori, i dimëronin në Dumre dhe në verë i çonin në Valamar e Gurtop.