Nga sot dozë e tretë e vaksinës për të gjithë mbi 18-vjeçarët! Rama vaksinohet: Administrata të bëjë vaksinën, një ditë s'do kthehen në punë! Do ta kërkojmë edhe për t'u futur në Shqipëri

2 Dhjetor 2021, 12:04 | Përditesimi i fundit: 2021-12-02 15:30:25

"Është e sigurt që vaksina mbron, shpëton jetën. Ata që janë të vaksinuar e kalojën lehtë sëmundjen, të pavaksinuarit përfundojnë në kthetrat e vdekjes. Mesazhi sot është i qartë. Ne po ndjekim të gjitha diskutimet me Komitetin përkatës dhe duke parë çfarë po ndodh, mund të vijë dhe vendimi që kush do të vijë në Shqipëri duhet të tregojë që është i vaksinuar dhe nuk do lejohet të futen të pavaksinuarit këtu", tha Rama.

Kujtojmë se duke nisur nga 1 nëntori të moshuarit +60 vjeç filluan të marrin dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, ndërsa fëmijët 12-17 vjeç, të shoqëruar nga prindërit, mund ta bëjnë vaksinën. Drejtoresha e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino ka sqaruar se cilët fëmijë do të vaksinohen të parët, sa doza do marrin dhe se cilën vaksinë duhet të bëjnë. Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e 22 tetorit rekomandoi aplikimin e dozës së tretë të vaksinës dhe vaksinimi i fëmijëve. 

Më parë nga specialistët e ISHP është bërë e ditur se doza plotësuese mund të merret edhe duke kombinuar vaksinat. Psh. nëse ke marrë Pfizer më parë mund të marrësh Coronavac apo AstraZeneca në bazë dhe të efekteve anësore që ka pasur qytetari. Megjithatë i vetmi kombinim vaksinash që nuk lejohet, dhe mjekët janë trajnuar për këtë gjë, është ai mes vaksinës AstraZenca dhe asaj rusë Sputnik V.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet ditën e sotme për të bërë një analizë të situatës së COVID në vend, mbledhje që vjen pas më shumë se një muaji mungesë. Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet në orën 14:00, në një kohë kur varianti Omicron i COVID po alarmon Europën dhe botën, duke u përhapur me shpejtësi në gjithnjë e më shumë vende.   Nuk dihet ende nëse do të ketë shtrëngim të masave kufizuese.

Mbledhja e fundit e Komitetit Teknik të Ekspertëve u zhvillua më 22 tetor, ku u vendos vaksinimi me dozë të tretë për personat mbi 60 vjeç, vaksinimi i fëmijëve mbi 16 vjeç dhe i atyre mbi 12 vjeç me sëmundje kronike.

Kryeministri Edi Rama i bëri apel sot qytetarëve që të vaksinohen për të qenë më të mbrojtur në një kohë kur kemi përballë stinën e dimrit dhe variantin Omicron.

Masat  anti-COVID që janë në fuqi:
-    Ora policore nga 23:00-06:00.
-    Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1.    Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë. 
2.    Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve. 
3.    Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. 
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. 
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. 

-  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. 

- Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. 

- Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave

- Vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore
 

Në përditësim...