Jetimet me prinder gjalle/Nena i braktis, babai i dhunon: Ndihmë,jetojme ne kasolle

18 Shtator 2019, 10:12 | Përditesimi i fundit: 2019-09-21 11:21:22

TIRANË - Një histori që të rrëqeth. Një rrëfim nga dy vëllezër, 16 dhe 13-vjeçarë për tmerrin që kanë përjetuar ndër vite nga babai i tyre. Ishte pikërisht kjo dhunë që solli edhe largimin e nënës së tyre nga shtëpia ku kishin lindur në Luz të Rrogozhinës. I madhi ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë ndërsa i vogli 8 muajsh, kur nëna e tyre u largua nga shtëpia dhe shkoi tek vëllezërit e saj në Tiranë duke braktisur fëmijët për shkak të dhunës nga bashkëshorti. Në një rrëfim prekës në emisionin "Pa Gjurmë" në Report TV, djali tashmë 16-vjeçar tregon se si mundi të marrë guximin të denoncojë në polici babain e tij. Prej 3 shtatorit të këtij viti babai i tyre është në masë arresti me burg të paktën deri në përfundim të hetimeve, ndërsa vëllezërit tashmë jetojnë të vetëm në një shtëpi që vetëm emrin ka të tillë.  Ata kanë frikë të bie nata, nga vetmia dhe nga kasollja ku ata jetojnë se mos i zë brenda.

"Më 3 shtator babai ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait. Isha duke qëndruar në një dyqan në lagje dhe më thotë dikush po qan vëllai. Kam shkuar me vrap dhe kam parë babain duke dhunuar rëndë vëllain. I kishte hipur sipër dhe e qëllonte me gushte, nuk po i linte të merrte frymë. I thash lërë vëllain. Ai mu afrua mua më qëllonte me tjegull, më gjëmoi për 20 minuta, mu mor fryma s'kisha më fuqi. Më ndoqi në lagje dhe derisa arrita prapë tek dyqani ku mora policinë në telefon. Policia thirri babin dhe vëllain, na çuan në komisariat, babain e mbajtën brenda, ndërsa vëllain e panë me shenja", tregoi 16-vjeçari.