Paqja Fiskale, Rama nga Përmeti: 600 subjekte kanë aplikuar deri më tani! Kush pranon marrëveshjen, s’ka më kontrolle tatimore

22 Prill, 16:22 | Përditesimi: 22 Prill, 16:37

Kryesocialisti Edi Rama, në takimin në Përmet, tha se ka pasur një interes për Paqen Fiskale, iniciativa që synon një bashkëpunim mes qeverisë dhe sipërmarrjeve. Sipas kreut të qeverisë, deri më tani, 600 subjekte kanë aplikuar dhe janë të gatshëm për të nënshkruar marrëveshjen. 

“Ne duam të bëjmë, dhe këto ditë do ta nxjerrim më të detajuar, të bëjmë një paqe fiskale. Instrument që e kanë përdorur vendet, që në kohën  e Romës së vjetër. Një ndër elementët për bizneset që janë me tatim fitimi se deri në 140 mijë euro xhiro i kemi pa tatim fitimi. Por pjesa tjetër do të mund të negociojnë me qeverinë që ne në prapakthim në 5 vite, të negociojnë që të ardhurat e vitit në vijim të jenë kaq dhe llogaritja do të bëhet me rritjen e tyre ekonomike. Për këto të ardhura paguhet taksa. Vetëdeklarimi që iu kemi dhënë hoteleve dhe strukturave akomoduese. Cili është përfitimi i paqes? Kush e pranon paqen, nuk kanë më kontrolle. Ai lokal apo biznes do të ketë një stampë dhe shenjë që është nën sistemin e paqes fiskale. Për strukturat akomoduese kemi informalitet në deklarimin e shtretërve. S’duam të rrisim presionin me inspektorë por i kemi dhënë një mundësi të një vetëdeklarimi përpara, i cili është 60% në periudhën e pikut, të paguajnë vetëm për 60% dhe më pas është 30% në të gjithë periudhën tjetër. Lajmi i mirë është se deri tani që është shpallur iniciativa janë 600 subjekte që kanë aplikuar dhe janë të gatshëm të nënshkruajnë këtë marrëveshje me qeverinë.”, u shpreh Rama.

Duke u ndalur te fiskalizimi, Rama u shpreh:

“Fiskalizimi na ka dhënë rezultat por ka akoma probleme sepse aty ku vihet rregulli shqiptari është i pari që gjen hilen. Me AI do të kemi një sistem inspektimi pa njerëz, nëpërmjet transaksioneve 24 orë. Ky sistem pa njerëz jep të dhëna në kohë reale për  rastet kur ka devijim nga normaliteti. Do të jetë gjëja që do të na japë të dyja palëve një qetësi përfundimtare.”

r.k./Shqiptarja.com