Peng mbi 53 mijë zarfe, çfarë po ndodh me votat e shqiptarëve të Greqisë? PS kërkon të numërohen, Celibashi vendos nesër! U ndanë veç me kërkesë të PD

15 Maj, 22:17 | Përditesimi: 15 Maj, 22:17

Nga mbi 1.7 miliona votat e hedhura më 11 maj, brenda dhe jashtë vendit, thuajse të gjitha janë numëruar, kur bëhet fjalë për ato për partitë politike. Në ‘apel’ mungojnë vetëm votat e shqiptarëve të Greqisë. Hapja e mbi 53 mijë zarfeve është kthyer në problemin më serioz të procesit të numërimit.

Aktualisht të gjitha votat nga vendi fqinj janë të ndara veçmas, në kuti të ndryshme për të 12 qarqet. Shkak për këtë ndarje u bë një kërkesë e Partisë Demokratike që kur kutia e parë u hap, me pretendimin e manipulimeve, kërkesë që u pranua nga Kryekomisioneri Celibashi. Çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua. Vendimi i Celibashit u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendimmarrja e të cilit u dërgua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Demokratike.

Megjithatë jemi përballë faktit të kryer që të gjitha zarfet e Greqisë janë ndarë tashmë më vetë, dhe një vendim i Kolegjit nuk do të zgjidhte asgjë.

I.M/Shqiptarja.com