'Piva një vizë kokainë dhe s'ndala dot më', rrëfimi tronditës i dy përdorues të drogës për Report Tv!

7 Maj, 19:47

TIRANË-Elsa, nënë e dy fëmijëve ka nëntë vite e varur nga kokaina dhe heroina. Së fundi ka nisur rehabilitimin, por gjendja e saj duket të jetë e vështirë. 

“Unë u flisja të tjerëve më përpara, mos e pini, mos e bëni dhe qëllon një moment ankthi, stresi dhe depresioni dhe më tha një shoqe pije një vizë. Unë i thashë jo nuk dua, ajo më tha pije se nuk të bën gjë, kokainë. Më mbushi mendjen dhe u piva. Do ti, që kur e piva pastaj më pëlqeu dhe që nga ajo ditë nuk iu ndava dot më” – thotë Elsa.

Sigurimi i parave për të blerë dozën ditore e ktheu Elsën në një gënjeshtare patologjike.  

“U lidhja me të dashur, se kam qenë edhe e bukur. I thoja që më duhen lekë për fëmijët, nuk i tregoja se i doja për drogë se pastaj trembej dhe ikte. I thoja që i doja për qira, për fëmijë, gjeja lloj-lloj justifikimesh për të marrë lekë, gënjeja që më duheshin lekë për ilaçe për fëmijët, gjeja gënjeshtra nga më të ndryshmet” – shton 30-vjeçarja. 

Elsa rrëfen momentet e para të pendesës dhe vështirësive shëndetësore, shkaktuar nga përdorimi i heroinës.

“Problemet me shëndetin më kanë vazhduar kur nisa heroinën. M'u infektua këmba, operacione, ngelja pa lekë dhe e ndjeja veten të pafuqishme dhe në këtë gjendje që isha e stresuar ku do gjeja lekë për të gjetur dozën. Fillova pastaj dhe u pendova, por kur u pendova ishte tepër vonë” – shprehet nëna e dy fëmijëve.

Dy të vegjlit e saj janë në shtëpinë e fëmijës. Elsa thotë se kjo e ka dëmtuar shumë dhe e ka shtyrë më shumë drejt drogës.

“Fëmijët i kam në shtëpi të fëmijës, 12 i madhi, 9 e vogla, i takoj një herë në dy javë. Tani edhe kjo më bënë dhe më shtyn që të pijë drogë, nga stresi i atyre, më merr shumë malli. Sikur të mundja do ta ktheja kohën pas, nuk do të pija kurrë në jetën time. Nuk do ta mendoja, jo më ta pija, por është shumë vonë tani” – shton Elsa, e penduar.

 

Kategori të tjera

    Nuk u gjeten video për këtë Kategori!

Shiko të gjitha