Megjithë humbjen e thellë më 11 maj, Sali Berisha vazhdon përpjekjet e tij për të dokumentuar atë që ai e quan si farsë elektorale. Nga Brukseli, ku ndodhet për këtë “mision”, Berisha përsëriti sërish akuzat e rënda ndaj qeverisë, duke pretenduar për një “situatë të paprecedentë që ekziston sot në Shqipëri”.
Në një takim me kryesinë e PD në Bruksel, Berisha tha se Rama krijoi një makineri gjigante të blerjes së votës dhe të frikësimit të qytetarëve. Këto, pretendon Berisha, asgjesojnë garën elektorale.
“Kjo makineri ka ardhur gjithnjë duke u bërë më e fuqishme, më e madhe. Kjo makineri gjigante është shteti i blerjes së votës. Në ç’mënyrë? Në këtë fushatë, ai u dha të gjithë pensionistëve 100 euro dhuratë. E ndaluar me ligj. Ju them këtu, kur ne kishim zgjedhjet, nuk i rrisnim rrogat gjersa mbaronin zgjedhjet. Rroga që ishte një detyrim i përvitshëm ai”, tha Berisha.