Prendja dhe Pali, komunizmi i ndau 44 vjet, takimi në Paris

14 Shtator 2021, 07:34

Prej vitit 1948, kur Pali u arratis në Jugosllavi dhe la në fshat të vetme bashkëshorten Prende dhe dy vajzat e vogla, ngjarjet dhe përjetimet e rënda nuk do të reshtinin. Më e thella mes gjithë plagëve ishte ndarja për gjalli për 44 vjet dhe terri informativ që i mbështolli të dy palët, Palin në Perëndim dhe gruan e dy vajzat në Shqipëri, nën persekutimin komunist. Palin e brenin mijëra mendime makabre. Pas lajmeve që merrte prej atdheut ai kishte mësuar se familja ishte dërguar në internim. Kishte dëgjuar për tmerret që përjetonin të internuarit në kampe. Kishte dëgjuar për sëmundjet urinë dhe vdekjet e shumta. Ankthi do ta lodhte zemrën e tij muaj pas muaji e vit pas viti. A kishin shpëtuar vallë gruaja dhe vajzat e tij prej atij ferri? A kishin mbijetuar?