Presion gjykatës më 3 mars? Ilir Meta: Drejtësia merr urdhër nga Surreli, solidaritet të plotë me demokratët

15 Shkurt 2023, 14:17

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se më 3 mars të gjithë do të jenë solidarë me demokratët ditën kur merret vendimi për fatin e PD. Meta tha se drejtësia merr urdhër nga ‘drejtësia e Surrelit’.

"Çështja e Partisë demokratike nuk është çështje e demokratëve, por e demokracisë, e pluralizmit politik, e shpartallimit të grushtit të shtetit. Ramaforma është drejtësia e Surrelit, që urdhëron kancelarin e gjykatësit në regjistër. Kjo është drejtësia e Surrelit. Shqiptarët më 3 mars do t’i japin mesazh të qartë prokurorëve dhe gjyqtarëve të mos bëhen bedelë të Ramës dhe McGonigal. Më 3 mars janë në solidaritet të plotë edhe të gjithë socialistët, bashkë me ne. Edhe ata kërkojnë llogaridhënie pasi nuk vidhen vetëm taksat e opozitarëve por të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky korrupsion ka goditur të gjithë shoqërinë", tha Meta.