Qani Sadiku. Rebeli që nuk u thye nga 17 vite burg komunist

16 Nëntor 2021, 07:19

Në vitin 1973, Qani Sadiku, 23 vjeçar, ndodhej i internuar prej afro një viti, bashkë me disa familjarë tij në Sarandë. Regjimi prej kohësh e mbante nën survejim, duke dyshuar tek ai për aktivitet politik dhe tentativë arratisjeje, derisa një ditë vërtet do t'i hidhnin prangat dhe do ta arrestonin. Telashet me regjimin komunist kishin nisur që në kohën kur i ati akuzohej si i lidhur me të arratisurit, por prej vitit 1974 kur do të arrestohej me një akuze politike e deri në rënien e regjimit Qani Sadiku do ta kalonte jetën vetëm burgjeve duke pasur denime e ridënime pa dalë më asnjëherë prej andej.... Ai ishte një antikomunist i vendosur, i ashpër në çdo deklaratë të tijën kundër regjimit, apo edhe në biseda të afërta mes shokëve në qeli. Të kritikonte regjimin dhe të bënte thirrje kundër tij ishte pjesa më e rëndësishme e gjithë qëndresës së tij gjatë afro 18 viteve në burgjet komuniste. Në familjen e tij në Tiranë, bashkëshortja Venetike, vajza e tij Dea dhe djali Kervin janë gjithmonë dëshmitarë të çdo detaji të kësaj jete të vështirë që shpaloset shpesh mbrëmjeve kur në familjen e tyre bujtin miqtë e shumtë të burgut.