Rama: 11 maji datë historike si zgjedhjet e vitit 1992, me këtë rast shërojmë edhe atë palo parti nga këneta! Bufi i kullufiti ata të Primareve në Kavajë

21 Prill, 19:10

Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga Durrësi para grave dhe vajzave socialiste se 11 maji është datë e shënuar historike si zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Ai nuk e kërkoi votën për PS-në këtë herë, por për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në BE, që mesazhi për europianët të ishte i qartë, se shqiptarët e duan bashkimin me atë familje.

Duke bërë analogji politike, ai u shpreh se shqiptarët më 1992 nuk votuan PD si parti, por sepse ajo u gjend aty në kohën dhe vendin e duhur, ashtu sikurse PS më 11 maj.

Ai shtoi se me këtë rast, vota masive për PS-në do shërbejë edhe për të shëruar dhe pastruar PD-në nga këneta, duke e cilësuar si “palo parti”. Rama solli në vëmendje edhe përjashtimin nga listat e kandidatëve të fituesve të Primarëve në Durrës dhe më gjerë nga PD-ja dhe Sali Berisha, që sipas tij “i kullufiti një nga një”.