Rama kujton historinë kur ishte ministër Kulture: Banka gjermane na 'fali' kompjuterë që i kishte nxjerrë jashtë përdorimit

25 Mars, 15:36

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e fituesve të Start-up dhe Startup Grant2024. Rama ka kujtuar një episod nga koha kur ishte ministër Kulture.

“Më kujtohet kur u bëra ministër kulturë, në 1998 në ministri kishte një zyrë që ishte zyra e daktilografimit ku shkonin shkresat të shkruara me dorë ose thuhej me gojë dhe ishin tre punonjëse që shkruanin në tre makina të lodhura, që tek shkronja ë, e cila ishte sajuar me forca të brendshme sepse makina origjinale nuk e kishte, makina që bënte ë bënte vrima. Unë kisha kujtimet të freskët nga një ekspozitë në Gjermani në një qendër kultura ku kishin ardhur kompjuterë që Deutche Bank i nxirrte jashtë përdorimit dhe ia falte qendrave të kulturës që nuk kishte. Unë i shkrova një letër drejtorit të bankës dhe i thashë që nëse do të ishte mundësia të na jepnin edhe ne disa kompjuterë. Më pas na kontaktoi Ambasada Gjermane dhe na sollën disa kompjuterë. Në atë kohë ajo letër përfundoi në murin e drejtorit të bankës sepse ishte e paimagjinueshme”, tha ai.