Rama në Vlorë: Kemi mbyllur 40 institucione të arsimit të lartë që bënin vetëm biznes! Do hapim këtu Akademinë e Aviacionit, synojmë ta bëjmë rajonale

27 Prill, 12:11 | Përditesimi: 27 Prill, 12:11

Kryesocilisti Edi Rama zhvilloi këtë të dielë një takim me studentë dhe pedagogë në Vlorë, ku foli për përmirësimin e sistemit universitar përgjatë viteve të fundit dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta zhvilluar më tej. 

"Na u desh fillimisht të bëjmë një pastrim të madh të sistemit. Kemi mbyllur 40 institucione të arsimit të lartë që vetëm bënin biznes.
Sot janë 40 programe të përbashkëta studimi në të tre ciklet e studimit në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare. Janë 90 programe në gjuhë të huaj",-tha Rama

"Ajo që është më impresionuese në vitin 2024 është që 2594 studentë dhe staf shqiptar kanë përfituar nga programet e shkëmbimeve ndërkombëtare, ndërkohë 1693 studentë dhe staf ndërkombëtar kanë marrë pjesë këtu në programe shkëmbimi.
Nuk do të thotë që duhet të jeni të kënaqur me kaq, por është një rrugë e hapur. Beteja duhet të jetë e dyanshme: nga ana jonë të rrisim kapacitetin në aspektin logjistik, fondet në kërkimin shkencor, dhe të tjera; nga ana juaj, nga ana e stafeve akademike, për të intensifikuar marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qenë se ne kemi vendosur një qendër për çdo partneritet të ri.
Unë besoj që Universiteti i Vlorës ka një potencial të madh të pashfrytëzuar dhe kam shumë besim që jemi në rrugën e duhur.
Ju e dini që unë besoj te gratë më shumë se te burrat, nuk kam ndërmend ta korrigjoj këtë dobësi, kam shumë respekt për ish-rektorin, por jam më entuziast për rektoren",-tha Rama.

"Para se të vija këtu, më doli në rrugë një vlonjat dhe më tha: nuk kisha ndërmend të ta jap votën, s’e kam dhënë ndonjëherë, por kësaj radhe do ta jap, se ke thënë se gjysma e burrave janë çyrakë.
Ai e tha shumë vlonjatçe dhe e tha shumë saktë, por s’e themi dot se nuk e kupton pjesa tjetër e Shqipërisë",-tha Rama.

"Do të hapim në Vlorë Akademinë e Aviacionit dhe synimi është që të jetë një akademi rajonale, ku të kemi edhe studentë të huaj për të përgatitur pilotët për të gjitha llojet e mjeteve të fluturimit, dhe më vjen shumë mirë se kjo është hapur më parë, sepse pastaj duhet të fuqizojmë edhe pjesën tjetër që ka të bëjë me industrinë detare.
Kemi së shpejti edhe një marrëveshje tjetër me Ficanterin e Italisë për të rivitalizuar kantierët e mirëmbajtjes dhe ndërtimit të anijeve këtu në Vlorë",-tha Rama,

r.k./Shqiptarja.com