Raporti i GRECO/ Përfaqësuesi i KE, Esposito: Korrupsioni s’ka kombësi e pasaportë, Shqipëria ka bërë progres! Nëse ka vullnet politik, ka dhe rezultate

21 Mars, 13:06

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe ministri i Brenshëm Ervin Hoxha morën pjesë sot në COD, për prezantimin e raportit të GRECO për luftën antikorrupsion.

Procesi për parandalimin e korrupsionit u evidentua se pati rezultate dhe këto ipohoi në fjalën e tij edhe Gianluca Esposito, drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës.

“Kënaqësi sa herë vij në Tiranë, ndihem si në shtëpi kur vij këtu. GRECO Ndihmon vendet për të ngritur sistemin për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Me korrupsionin humbasim të gjithë, humbet shoqëria. Parandalimi është kyç, që të mos shfaqet. Autoritetet kanë ngritur një sistem që është efektiv në luftën ndaj korrupsionit. Korrupsioni nuk është çështje kombësie, pasaporte apo përkatësie, është fenomen”, tha ai para të pranishmëve.

Ndërsa më tej nënvizoi rezultatet pozitive të arritura nga Shqipëria në realizimin e piketave të vendosura dhe faktin se kur ka vullnet politik gjërat ecin para.

“Jam i lumtur që Shqipëria i ka plotësuar këto pika për të luftuar korrupsionin. Kjo punë këtu dhe në Strasburg ka funksonuar mirë. Kur ka vullnet politik për të kryer reformat, reformat ndodhin. Ky është kyçi i suksesit, kur ka vullnet politik reformat ndodhin dhe ka rezultat. Jam i nderuar që jam këtu për të festuar këtë moment të veçantë”, u shpreh Esposito.