Receta e ditës - Byrek me 12 barishte dhe sultjash / Pjesa e parë

22 Mars 2019, 14:00

Receta e parë: Byrek me 12 barishte

Përbërësit:

12 tufa barishte mix

(spinaq, lëpjetë,

pazi, hithra,

bishta qepe dhe hudhra të njoma,

gjethe avdyli, kopër, majdanoz,

nenexhik i freskët, qumështor,

lulëkuqe)

3 kokrra vezë

200 gr djath i bardhë

1 pako peta

10 lgj vaj ulliri

1 gotë qumësht

Pak kripë

Përgatitja:

Lajmë mirë barishtet dhe i grijmë ato me gjatësi 1 cm. I vendosim në një tas dhe pasi të hedhim 1 lugë çaji kripë fillojmë ti shtypim pak me duar. Më pas shtojmë 2 kokrra vezë,3 lugë gjelle vaj ulliri,  thërrmojmë pak djath dhe i trazojmë barishtet së bashku.

Në një tas të vogël trazojmë vezën me vajin e ullirit, me pak kripë dhe me qumësht dhe e lemë mënjëanë për të spërkatur petët.

Lyejmë tepsinë me pak vaj dhe fillojmë shtrojmë petët duke i spërkatur ato në çdo dy petë. Pasi të kemi shtruar gjysmat e petëve përhapim barishtet në të gjithë sipërfaqen e tavës. Vendosim dhe petët e tjera duke i spërkatur me vezë dhe qumësht. E vendosim byrekun në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30 minuta. Më pas e nxjerrim nga furra dhe e lemë të ftohet para se ta shërbejmë.