Receta e ditës - Byrek me pulë e speca dhe supë krem lulelakër / Pjesa e parë

11 Dhjetor 2018, 15:17

Receta e parë: Byrek me pulë dhe speca

Përbërësit:

1 pako peta
1 qepë, 2 thelpinj hudhër
400 gr fileto pule
2 speca jeshile
2 domate mesatare

2-3 lgj djath pice
2 lgj gjalpë
1 ½ lgj miell
300 ml qumesht
Kripë, arrë moskat

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim pak beshamel duke kaurdisur miellin me pak gjalpë. Sapo mielli të ndryshojë pak ngjyrë shtojmë qumështin duke e trazuar me telin e vezëve derisa të krijohet një masë kremoze.Vendosim një tenxhere me pak vaj ulliri dhe kaurdisim qepën, sapo të bëhet transparente shtojmë mishin të zier me parë dhe të copëtuar në copëza të vogla. Trazojmë së bashku qepën me mishin për disa minuta duke shtuar më pas specat të prera në kubikë të vegjël. I trazojmë të gjithë përberësit së bashku për 3 minuta. Në fund shtojmë domatet të qëruara nga lëkura dhe të prera në kubikë të vegjël, i trazojmë dhe i lemë në zjarr derisa domatja të fillojë të zbutet dhe të mos ketë më lëng. Më pas këtë masë e trazojmë me beshamelin duke e rregulluar me kripë dhe piper.
Shtrojmë në një tavë të thellë 2 peta duke i lënë anët nga jashtë. Më pas mbledhim cdo pete shuk si një letër derisa të mbushet komplet tava. Në fund vendosim mbushjen duke e shpërndarë në të gjithë hapësirat boshe që kanë krijuar petët e mbedhura. E vendosim byrekun në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30 minuta.