Receta e ditës - Fërgesë me lulelakër e vezë dhe makarona me qofte / Pjesa e dytë

18 Shkurt 2020, 11:59

Makarona me qofte

Përbërësit:

450 gr mish i grirë

½ qepë

2 lugë gjelle bukë e thekur e grirë

1 vezë

kripë dhe piper i zi

1 lugë kafe kumin

2 lugë gjelle vaj ulliri

2 gota lëng mishi

2 gota qumësht

½ pako makarona taljatele

4 lugë gjelle parmixhan i grirë

½ tufë majdanoz

Përgatitja:

Në një tas vendosim mishin e grirë dhe bashkojmë në të qepën të grirë shumë imët, bukën e thekur të grirë, 1 vezë, kripë, piper të  zi, kumin. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit, punojmë brumin dhe e lëmë të pushojë për 20-30 minuta.

Më pas formojmë qofte të vogla sa një arrë e madhe.

Vendosim në tigan 2 lugë gjelle vaj dhe vendosim qoftet pë tu skuqur 1 minutë nga njëra anë dhe 1 minutë nga ana tjetër sa të zverdhet pak duke lëvizur tiganin.

Shtojmë tek qoftet 2 gota lëng mishi, i lëmë qoftet të ziejnë për 2 minuta, duke shtuar më pas 2 gota qumësht, kripë dhe piper të zi. E lëmë qumështin sa të marrë valë dhe shtojmë makaronat. Kur makaronat të kalojnë minutat e zierjes sa shkruhet në paketim, hedhim parmixhanin të grirë hollë dhe majdanozin të grirë imët.

I trazojmë dhe i shërbejmë të ngrohta.