Receta e ditës - Krelan me miell misri dhe fergesë me patellxhana / Pjesa e parë

4 Shtator 2018, 14:12 | Përditesimi i fundit: 2018-09-04 14:13:55

Receta e parë : Krelan me miell misri

Përbërësit : 

400 -450 gr miell misri

250 gr djath

3 vezë

1 gotë vaj ulliri (200 ml)

1gotë kos

3 lugë krem kosi (sipas dëshirës)

1 pako pluhur pjekës

1 lugë çaji kripë

Fara susami

Përgatitja:

Bashkojmë në një tas përbërësit e lëngshëm. Rrahim vezët duke shtuar kripën e më pas vajin. I përziejmë mirë duke shtuar kosin dhe 3 lugët e kremit të kosit nëse kemi( pasi e bën më të butë).

I përziejmë të gjitha mirë dhe i lëmë mënjanë. Në një tas tjetër përziejmë miellin me pluhurin pjekës ose 1 lugë çaji sodë buke.

Shtojmë pak nga pak miellin tek tasi me vezët dhe kosin duke i përzier me tel ose lugë druri. Pasi ta kemi përzier mirë brumin( një brumë pak më i trashë se brumi i kekut), shtojmë djathin e thërrmuar dhe e përziejmë me lugë. Lyejmë një tav me vaj dhe e vendosim të nxehet në furrën e parangrohur në temperaturën 250 °C. Në momentin që hedhim brumin në të, vaji duhet të jetë i nxehtë. E nivelojmë brumin dhe e spërkatim sipër me fara susami. E vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 250°C për 20 minuta. E lëmë 5 minuta të kullojë në furrë të fikur dhe pasi të ftohet pak, e shërbejmë.