Receta e ditës - Kunguj role me mish të grirë dhe bollgur me patllexhane e kos / Pjesa e parë

20 Shtator 2018, 09:06

Receta e parë: Kunguj role me mish të grirë

Përbërësit:

700 gr kunguj

700 gr domate mix

3 lugë gjelle vaj ulliri

1 limon

Sherebel

2 lugë gjelle peksimadhe

400 gr mish i grirë

2 qepë të vogla

1 fetë bukë e ftohtë

1 thelp hudhër

1 lugë gjelle kaperi

1 vezë

1/2 tufë majdanoz

40 gr domate të thara

1 lugë gjelle pure domate

Kripë dhe piper

Përgatitja:

Lajmë dhe pastrojmë kungujt dhe presim pjesët anësore të tij, e më pas i presim kungujt në feta me trashësi 2-3 mm.

Vendosim një tenxhere me ujë të valuar në zjarr dhe vendosim fetat e kungullit për 30 sekonda ose maksimalisht 1 minutë në ujë të valuar. I largojmë, i shpëlajmë dhe i lëmë mënjanë.

Domatet qershi i presim në gjysma , ndërsa domatet e tjera i pastrojmë nga lëkura dhe i presim në kubikë të vegjël.

Përgatisim brumin e qofteve. Në një tas vendosim mishin e grirë, qepët e grira hollë, një fetë bukë të zbutur në ujë dhe të thërrmuar, një lugë gjelle pure domate, kripë dhe piper të zi dhe i përziejmë së bashku. Shtojmë vezën, domatet e thara të prera imët , hudhër, kaperi, majdanoz dhe i përziejmë sërish.

Lyejmë një tepsi me vaj, hedhim në të domatet e prerë në kubikë dhe domatet qershi dhe i vendosim në furrë në temperaturën 200ºC për 5-10 minuta.

Vendosim në dërrasën e punës 2 ose 3 feta kungull(varet nga trashësia e tij). Në fillim të fetave vendosim 1 lugë gjelle brum qofte, i rrotullojmë dhe më pas vendosim rolenë në tavën ku kemi shtuar domatet. Gjithmonë mbyllja e rolesë vendoset poshtë. Kështu vazhdojmë deri sat ë mbushet tava.

Vendosim tavën në furrë në temperaturën 200ºC për 35 minuta. Në 10 minutat e fundit spërkatim me peksimadhe dhe lëkurë limoni vetëm pjesët e kungullit. E lëmë në furrë për 10 minuta e më pas e shërbejmë.