Sufle me perime tringjyrëshe nga zonja Albana

7 Janar, 11:08 | Përditesimi: 7 Janar, 11:08

Sufle me perime tringjyrëshe

Përbërësit:

  • 500 gr bizele
  • 500 gr karrota
  • 1 lulelakër e vogël
  • 180 gr miell
  • 100 gr gjalpë
  • 100 gr djathë parmixhano
  • 6 vezë
  • 1¼ litër qumësht
  • Arrë moskat
  • Kripë sipas dëshirës

Përgatitja:

Lani perimet dhe ziejini secilën veçmas në ujë lehtësisht të kripur. Pritini në copa, shtoni pak gjalpë në secilën dhe lërini në zjarr derisa të thahen plotësisht nga uji. Kalojini më pas në mulli ose blender për t’i bërë pure. Shkrini veçmas pjesën tjetër të gjalpit (mbani mënjanë një copë të vogël), shtoni miellin dhe menjëherë pak qumësht të ngrohtë. Përzieni mirë që të mos krijohen kokrriza dhe shtoni gradualisht pjesën tjetër të qumështit, derisa të formohet një beshamel shumë i trashë. Ziejeni për 1 minutë duke e përzier vazhdimisht dhe hiqeni nga zjarri. Shtoni kripën, arrën moskat dhe djathin. Ndajeni beshamelin në tre pjesë. Në pjesën e parë përzieni purenë e karrotës, në të dytën purenë e bizeleve dhe në të tretën purenë e lulelakrës. Në secilin përzierje shtoni 2 të verdha veze dhe 2 të bardha veze të rrahura fort në shkumë. Lyeni me gjalpë një formë me anë të larta dhe hidhni fillimisht përzierjen me karrota, më pas atë me bizele dhe në fund përzierjen me lulelakër. Piqeni suflenë në banjomari, në furrë mesatare për 1 orë. Gjatë pjekjes kujdesuni që uji i banjomarisë të mos vlojë. Nxirreni nga furra, lëreni disa minuta në formë dhe çlirojeni me shumë kujdes.

MC/Shqiptarja.com