Receta e parë: Lazanjë me perimet e stinës
Përbërësit:
Peta lazanje
200 gr qepë e kuqe
200 gr karrota
200 gr kunguj
250 gr kërpudha
300 gr brokoli
80 gr parmixhan
Kripë dhe piper i zi
Trumzë ose sherebel
Vaj ulliri
Beshameli:
4 lugë gjelle miell
80 gr gjalp
800 ml qumësht
Kripë, piper, arrë moskat
Përgatitja:
Fillimisht lajmë dhe thajmë perimet dhe i presim ato. Qepën e presim në rrathë të hollë. Karrotat dhe kungujt i presim në shkopinj me gjatësi 3-4 cm, ndërsa brokolin në lule e kërpudhat në feta.
Vendosim në tigan pak vaj dhe kaurdisim qepën sa të zbutet pak. Shtojmë karrotat e kungujt dhe i kaurdisim së bashku për 5 minuta duke pasuar më pas me kërpudhat , brokolin e domatet. Shtojmë kripë , piper, sherebel dhe i trazojmë duke i lënë në zjarr deri sat ë bjerë volumi. Perimet duhet të jenë shumë aldente.
Vendosim petët në ujë të vakët për 10 minuta. Ndërkohë përgatisim beshamelin. Shkrijmë gjalpin , shtojmë në të miellin dhe e kaurdisim pak. Shtojmë qumështin duke e trazuar së bashku me miellin që të mos bëet me kokrra . Shtojmë kripë dhe piper , arrë moskat dhe e lëmë të ziejë për 5 minuta.
Në tavën që do të përgatisim lazanjën , e lyejmë me beshamel duke shtuar më pas një rresht me peta lazanjë, pak beshamel, pak parmixhan të grirë. Shtojmë një shtresë me perime dhe i mbulojmë ato me petën e lazanjës. E lyejmë përsëri petën me pak beshamel, e spërkatim me djath të grirë dhe shtojmë përsëri edhe një shtresë me perime. Mbulojmë perimet me petë lazanje dhe kështu vazhdojmë edhe me shtresën e tretë ( petë, beshamel, djath, perime) deri në përfundim . Mbulojmë me beshamel dhe spërkatim mirë me djath parmixhan. E vendosim tavën në furrë në temperaturën 200ºC për 30 minuta.