Receta e ditës - Patate furre me sallam e gogozhare dhe supë krem karrote me arra dhe bukë të thekur / Pjesa e dytë

9 Janar 2020, 12:44

Supë krem karrote me arra dhe bukë të thekur

Përbërësit:

500 gr karrota

400 gr patate e ëmbël

1 mollë jeshile

1 qepë

2 thelpinj hudhra

30 gr xhinxher

3 lugë gjelle vaj ulliri

400 ml qumësht kokosi

1 lugë çaji kerri

1 lugë kafe kanellë

Kripë dhe piper i zi

2 feta bukë në kubikë

4 lugë gjelle arra

2 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja:

Lajmë dhe pastrojmë karrotat dhe i presim ato në copa të vogla. Po ashtu qërojmë patatet dhe i presim ato në kubikë të vegjël. Të njëjtën gjë bëjmë edhe me mollën, e qërojmë, e presim në kubikë të vegjël. Në të njëjtën mënyrë veprojmë edhe me qepën.

Ngrohim një lugë gjelle vaj ulliri dhe kaurdisim qepën derisa të bëhet transparente. Shtojmë në të hudhrën të grirë imët, po ashtu dhe xhinxherin të grirë imët. I kaurdisim për 2-3 minuta së bashku. Shtojmë karrotat, patatet, mollët, në kubikë dhe I përziejmë për 2 minuta.Shtojmë qumështin e kokosit, 500 ml ujë, kerrin, kanellën, kripën dhe piperin e zi, e mbulojmë dhe e lëmë të ziejë në temperaturë të ulët për 15 minuta.

Ndërkohë në një tigan ngrohim 2 lugë gjelle vaj dhe skuqim bukën në kubikë dhe arrat e copëtuara për 3-4 minuta. Pasi të kalojnë 15 minuta, kalojmë supën në blender dore dhe e kthejmë atë në krem. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper, lëng limoni. E servirim duke shtuar në fund kubikë buke dhe arrat e pjekura.