Receta e ditës - Pica me proshutë e kërpudha dhe omletë me perime dhe rukola

22 Tetor 2018, 15:43

Receta e parë: Pica me proshutë dhe kërpudha

Përbërësit:

Brumi:

250gr miell

125ml ujë

1 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë kafe sheqer

½ pako maja

1 lugë çaji kripë

Mbushja

80gr salcë domate

100 gr djath pice

3-4 kërpudha

4-5 feta proshutë Fix

Përgatitja:

Shkrijmë majanë në gjysmën e ujit sëbashku me sheqerin. Vendosim miellin në një tas dhe hapim një gropë në mes. Shtojmë në të majanë e shkrirë, ujin, vajin dhe fillojmë e punojmë brumin. Më pas shtojmë pak kripë dhe punojmë brumin deri sa të lidhet mirë. Formojmë një sferë , e vendosim në tas dhe e mbulojmë duke e lënë të pushojë për 30-40 minuta. Lyejmë tavën me vaj dhe vendosim brumin në të. E hapim me majat e gishtave deri sa ti japim formën që dëshirojmë, rrumbullake apo katrore. Në enën që kemi vendosur salcën shtojmë pak kripë dhe 1 lugë gjelle vaj ulliri. E hapim mbi brumë duke e lyer të gjithë sipërfaqen ( vetëm pjesët anësore, rreth 1,5 cm i lëmë të palyera). Shpërndajmë mbi salcë ¾ e djathit , vendosim fetat e proshutës ose sallamit që ju dëshironi dhe mbi të vendosim kërpudhat të cilat i spërkatim me pak djath me qëllim që të fiksohen mirë. Vendosim tepsinë në furrë të parangrohur në temperaturën 250ºC për 10-15 minuta.

Receta e dytë: Omletë me perime dhe rukola

Përbërësit:

4 kokrra vezë

½ kungull i njomë

½ spec kuq

2 lugë gjelle pana

Kripë, piper

2 lugë gjelle majdanoz

1lugë gjelle gjalp

30gr rukola

1lugë gjelle uthull

2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:

Rrahim vezët me kripë, piper, kungujt e specat që i kemi prerë më herët në kubikë.

Shkrijmë gjalpin me 1 lugë gjelle vaj dhe shtojmë vezën. Vendosim kapakun dhe e lëmë vezën të mpikset.

Në një pjatë vendosim rukolën, e marinojmë atë me vaj dhe uthull e kripë, dhe mbi të me ndihmën e një forme vendosim vezën në qendër të pjatës.