Receta e ditës - Qofte furre me mish dhe speca dhe makarona me perime / Pjesa e dytë

6 Qershor 2019, 11:50

Receta e dytë: Makarona me perime

Përbërësit:

2 qepë të kuqe

½ selino

2 thelpinj hudhër

200 gr domate qershi

Borzilok

2 patëllxhanë

2 kunguj të njomë

4 lugë gjelle vaj ulliri

250 gr makarona

2 lugë gjelle stika pishe

2 lugë gjelle peksimadhe

1 thelb hudhër

Kripë

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim salcën. Ngrohim vajin e ullirit, preim qepët në rrathë dhe i kaurdisim deri sat ë zverdhen. Shtojmë hudhrën, selinonë të grirë shumë imët dhe I kaurdisim për 1 minutë duke shtuar specat e prerë në kubikë me brinjë 1 cm. I kaurdisim për 3 minuta duke shtuar më pas domatet qershi të prera në dysh, kripë e borzilok. Vendosim kapakun dhe i lëmë të ziejnë në temperaturë të ulët. Në një tigan tjetër skuqim patëllxhanët dhe kungujt e prerë në kubikë me brinjë 1 cm. Pasi skuqim i vendosim në letër kuzhine për largimin e yndyrës e më pas i bashkojmë me perimet në tiganin me domate. Ndërkohë kemi vendosur dhe tenxheren me ujë për të valuar. Shtojmë kripë dhe ziejmë makaronat aq minuta sa shkruhet në etiketë. Pasi ziejmë makaronat ngrohim pak vaj ulliri dhe kaurdisim 1 thelb hudhër, stika pishe e peksimadhe. Kullojmë makaronat dhe i kaurdisim me stikat dhe peksimadhen. Në fund i shërbejmë duke shtruar si bazë pak perime. Mbi to vendosim makaronat dhe përsëri I mbulojmë me 2 lugë gjelle perime dhe një gjethe borzilok.